“Asgjë s’ka përfunduar!”, Meta: Drejtësia të funksionojë tani! Çdokush, që mbështet teorinë e faktit të kryer, është bashkëfajtor – Stop
Lajme, Të Gjitha

“Asgjë s’ka përfunduar!”, Meta: Drejtësia të funksionojë tani! Çdokush, që mbështet teorinë e faktit të kryer, është bashkëfajtor

TIRANË

Në deklaratën e tij, lidhur me proceset ankimore të 25 prillit, kreu i shtetit ka një apel për institucionet administrative dhe gjyqësore, që të shqyrtojnë me përgjegjshmëri dhe objektivitet të gjitha ankesat e parashtruara. Meta kërkon:

“Është tepër e rëndësishme, që çdo votë të numërohet e rinumërohet me transparencë deri në fund, sipas Kodit Zgjedhor. Është e rëndësishme, që çdo fakt, e dhënë, material zgjedhor, të kqyret e verifikohet, me objektivitet dhe paanënësi. Asgjë nuk ka përfunduar!” shkruan Meta ndërsa thekson se çdokush, që mbështet teorinë e faktit të kryer, duke shpërqëndruar vëmendjen nga proceset ankimore dhe hetimore penale në proces, është bashkëfajtor në cenimin e klimës së besimit ndërmjet palëve, në cenimin e standarteve të këtij procesi zgjedhor, para, gjatë dhe aktualisht!

Pjesë nga mesazhi:

Si Presidenti i Republikës, u bëj thirrje të gjitha institucioneve administrative dhe gjyqësore, që të shqyrtojnë me përgjegjshmëri dhe objektivitet të gjitha ankesat e parashtruara, pasi integriteti i këtij procesi ankimor, është po aq i rëndësishëm, sa dhe vet rezultati i shqyrtimit të këtyre ankesave.

 

 

Është tepër e rëndësishme, që çdo votë të numërohet e rinumërohet me transparencë deri në fund, sipas Kodit Zgjedhor.

Është e rëndësishme, që çdo fakt, e dhënë, material zgjedhor, të kqyret e verifikohet, me objektivitet dhe paanënësi.

Asgjë nuk ka përfunduar!

Kodi Zgjedhor, në nenin 167 të tij, e përcakton shumë qartë se KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, vetëm pasi të kenë përfunduar procedurat e ankimit, sipas këtij Kodi.

Deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar, jemi ende në periudhë zgjedhore, dhe subjektet politikë, përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë maturi dhe qetësi dhe të ndjekin nga afër proceset, që ata kanë ngritur.

Ky është një moment shumë i rëndësishëm, që organet e ngarkuara nga ligji duhet të përmbushin detyrat e tyre, në mënyrë të pandikuar, në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit.

Ndërkohë, organet e drejtësisë penale, duhet t`i paraprijnë këtij procesi me rezultate konkrete, pasi në të kundërt, çfarë vlere do të kishte nëse ata lejojnë që në ndenjëset e Kuvendit të ulen deputetë të zgjedhur, me vota të blera apo përmes një procesi të manipuluar!

Drejtësia duhet të funksionojë tani, për t’i shërbyer rivendosjes së besimit të shqiptarëve tek proceset zgjedhore!

Kjo është e rëndësishme për të gjithë ne! Kjo është e rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit!

Çdokush, që mbështet teorinë e faktit të kryer, duke shpërqëndruar vëmendjen nga proceset ankimore dhe hetimore penale në proces, është bashkëfajtor në cenimin e klimës së besimit ndërmjet palëve, në cenimin e standarteve të këtij procesi zgjedhor, para, gjatë dhe aktualisht!

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *