Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu e cilësoi Dokumentin e Politikave të Arsimit të Lartë 2030, një paketë masash disavjeçare të rëndësishme për të ardhmen e arsimit të lartë në Shqipëri.
E pranishme në Konferencën Kombëtare të Arsimit të Lartë të zhvilluar sot në Tiranë, ku merrte pjesë edhe kryeministri Edi Rama, Manastirliu përshëndeti punën e bërë nga grupi i profesorëve për hartimin e këtij dokumenti, teksa vuri në dukje se, “ky është një produkt i analizës së arritjeve dhe sfidave në zbatimin e Reformës në Arsimin e Lartë, që për herë të parë, vendosi një sistem të orientuar drejt cilësisë, transparencës dhe autonomisë universitare”.
Ajo tha se, “ky dokument adreson dy qëllime kryesore: Arsimi i Lartë, faktor i rëndësishëm për zhvillimin e kapitalit njerëzor, social dhe ekonomik të vendit, përmes ofertës akademike bashkëkohore, në përshtatje me nevojat e shoqërisë dhe kërkesat dinamike të tregut të punës, përgatit studentët me aftësitë e së ardhmes dhe duke synuar rritjen e produktivitetit dhe i dyti, zbatimi me vendosmëri i standardeve dhe politikave të Zonës Evropiane të Arsimit (EHEA) dhe Kërkimit Shkencor (ERA), përmes fuqizimit të mekanizmave të financimit, sigurimit të cilësisë, si dhe duke promovuar ndërkombëtarizimin dhe specializimin rajonal në përputhje me politikat e zhvillimit të qëndrueshëm”.
Duke u ndalur tek masat që propozohen, ministrja renditi: Rishikimin e kuadrit ligjor të Arsimit të Lartë për hapjen e mundësive të reja për universitetet; Vendosja e instrumenteve të reja ligjore për autonomi në hapjen e programeve të studimit, sidomos ato në gjuhë të huaj; Profilizimin e universiteteve që lidhet me ndërthurjen ndërdisiplinore (p.sh. me degët e IT apo STEM) që ndihmojë studentët të përgatiten më mirë për tregun e punës; Me konsolidimin e proceseve akredituese sipas standardeve europiane, ESG dhe aderimit me të drejta të plota në ENCA; Përfshirjen e studimeve në distancë (online learning, blended etj.); Avancimin e procesit të ndërkombëtarizimit dhe hapja e kampuseve të universiteteve të huaja, ku përgatitemi për hapjen e degëve të UTC dhe Universitetit Teknik të Stambollit.
Manastirliu tha se, “një prej shtyllave më të rëndësishme të kësaj pakete është dhe financimi i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, ku masat përfshijnë: Skemën e re e financimit të IAL-ve mbi performancën akademike, të nivelit akademik të stafit, kërkimit shkencor, të thithjes së investimeve dhe projekteve si dhe zbatimit e planeve strategjike të çdo universiteti”.
Në këtë drejtim, vijoi ajo, institucionet që tregojnë rezultate të larta në këto fusha do të mbështeten financiarisht për projekte strategjike të universitetit përmes formulës së re të financimit. Gjithashtu për investimet në kërkimin shkencor synojmë pjesëmarrjen në Aleancat Ndërkombëtare dhe programet e BE. Ndërsa vend të rëndësishëm do të zërë rritja e rolit të Diasporës Akademike në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe qeverisje universitare.
“Kjo paketë masash mbështet dhe studentët, që sot gëzojnë më shumë të drejta në qeverisjen e universiteteve, mbështetje financiare, ndërsa më shumë do të bëjmë në ndihmë të studentëve përmes bursave, rimodelimit të kredisë studentore, investimeve në vazhdim në rezidencat studentore. Prej këtij viti do të nisim një program të ri të mbështetjes financiare për kërkimin shkencor, për studimet doktorale në fushat me prioritet strategjik. Ndërsa integrimi e teknologjisë në procesin e mësimdhënies dhe digjitalizimi do të jenë pjesë e një programi të posaçëm investimi në buxhetin e arsimit të lartë”, u shpreh Manastirliu.
Ajo tha se, Shqipëria po ndjek zhvillimet dhe qasjen e Komisionit Evropian, lidhur me parimet e Shkencës së Hapur.
Manastirliu bëri të ditur se në këtë drejtim kanë filluar përpjekjet se si të ruhen dhe të përdoren të dhënat e kërkimit shkencor në vend, nëpërmjet krijimit të Platformës së Kërkimit Shkencor – ACRIS (Albanian Current Research Information System).
Puna për këtë proces ka filluar, u shpreh ministrja, ndërsa solli në vëmendje gjithë arritjet dhe reformat e ndërmarra vitet e fundit që e kanë transformuar tërësisht sistemin arsimor sipas modeleve më të mira ndërkombëtare.
“Që nga ajo kohë, u mbyllën mbi 18 universitete-kioska dhe nisi një epoke e re e punës për përafrimin me standardet ndërkombëtare, me përfshirjen e institucioneve si Agjencia Britanike e Akreditimit (QAA) dhe më tej nga Bordi i Akreditimit, ku sot të gjitha universitetet tona janë të akredituara si IAL e përmbushin Kodin e Cilësisë. Një pikë e fortë e reformës mbetet procesi transparent i pranimeve në universitete përmes platformës U-Albania, ku çdo aplikim është online”, tha Manastirliu.
Ajo tha se, sot Arsimi i Lartë financohet dy herë më shumë se më parë. Ligji për Arsimin e Lartë u dha autonomi universitare, që garantojnë cilësinë e universiteteve, financimin e tyre, shërbimet digjitale. Përmes ndërkombëtarizimit janë 40 programe të përbashkëta studimi dhe 90 programe në gjuhë të huaj. Ndërsa degë/filiale të universiteteve të huaja janë hapur në Shqipëri si, Kolegji i Evropës, Kampusi i Tiranës, Kampusi i UNED të Spanjës në Gjirokastër, modeli i ri i partneritetit që kemi krijuar mes UBT – BOKU dhe buxheti për kërkim shkencor është pesë herë më i lartë, për rreth 400 projekte të infrastrukturës dhe kërkimit shkencor.
Sipas saj, ndryshimet e vazhdueshme që kanë ndodhur pas reformës së vitit 2015, kanë treguar kursin pozitiv të arsimit të lartë në këto vite, që siç tha Manastirliu, është pasqyruar në raportet e ndryshme ndërkombëtare.
“Kështu, raporti i OECD “Konkurrueshmëria e Ballkanit Perëndimor për vitin 2024” (Competitiveness Outlook 2024) tregohet se Shqipëria është ndjeshëm mbi mesataren e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për dimensionin e politikave arsimore dhe është në të njëjtin nivel për politikat në fushën e shkencës dhe teknologjisë. Gjithashtu, raporti i Bordit të Akreditimit (2024) ka evidentuar se gjatë periudhës 2017-2023 ka pasur një përmirësim të universiteteve të vlerësuar, në lidhje me laboratorët dhe infrastrukturën, ndërkombëtarizimin, tregun e punës, punësimin dhe mbështetjen e studentëve”, u shpreh ministrja.
Ajo theksoi se, përmirësimi i programeve të studimit dhe larmishmërinë e ofertës akademike ka rritur interesin në degët inxhinierike, teknologji dhe IT, që zënë rreth 27% të aplikimeve, 14% teknologjia, shkencat mjekësore 21,6%, ekonomiku 16% dhe shkencat juridike me 20% të aplikimeve dhe programet 2-vjeçare profesionale me mbi 10% të aplikimeve.
Manastirliu vlerësoi se, një indikator i përmirësuar lidhet dhe me studentët e punësuar brenda profilit të studimit, që llogaritet në nivelin rreth 85%.
“Përtej hapave pozitivë, cilësia e arsimit nëpërmjet përmbushjes së tre misioneve bazë si: mësimdhënia akademike, kërkimi shkencor dhe roli i tij qendror në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, mbetet sfida kryesore e politikave lidhur me këtë sektor”, tha Manastirliu.