Arsen Muskurti nuk pendohet për vrasjen, vëllait i kishte borxh 150 mijë euro

Arsen Muskurti nuk ka shprehur asnjë pendesë për vrasjen e vëllait të tij Dritan Muskurti, i njohur edhe me emrin Alban, 44 vjeç dhe bashkëshortes Nora, 33 vjeçe.

Duke pranuar autorësinë e vrasjes, Arsen Muskurti, deklaroi se konfliktet e tyre kanë qenë të hershme dhe të shpeshta ku në qendër të tyer ka qenë pikërisht pronësi e agjencisë së udhëtimit që drejtohej nga dy viktimat.

Arsen Muskurti akuzonte vëllain, Dritanin se bashkë me të shoqen kishin hapur adresa false në emër të tij dhe e ofendonin në rrjete sociale. Pikërisht për këtë gjë, 38-vjeçari disa herë kishte bërë kallëzim në polici.

Dy ditë më parë, mes tyre ishte shënuar një tjetër konflikt i ashpër për parkimin e makinës. 38-vjeçari tashmë do të hetohet për dy vepra penale, “Vrasja në rrethana cilësuese” kundër dy ose më shumë personave dhe armëmbajtje pa leje.

Pasi vrau vëllain dhe kunatën, 38-vjeçari Arsen Muskurti armën e krimit e fshehu në kasafortën e këtij dyqani, i ndodhur vetëm 10 metra larg agjencisë së udhëtimeve në oronësi të dy viktimave. Arma tip pistoletë u sekuestrua nga policia, pasi bashkëshortja e autorit i tregoi kodin e kasafortës grupit hetimor.

Sipas “ABC” mëson se pak orë para se kryente vrasjen, Arsen Muskurti kishte marrë nga Gjykata e Tiranës fletëthirrje për të dëshmuar. Kjo pasi ka pasur një kallëzim nga i vëllai të cilin e vrau. Dritan Muskurti kishte kërkuar urdhër mbrojtje ndaj Arsen Muskurtit, dhe kjo kërkesë do të shqyrtohej pas një jave.

Edhe vitin e kaluar, Dritani kishte kërkuar urdhër mbrojtje që i ishte refuzuar, ndërsa banorë të zonës kishin njoftuar disa herë policinë për 38-vjeçarin për shkak të debateve që kishin me të.

Në sajë të hetimeve të kryera, mësohet se Arsen Muskurti i kishte të vëllait borxh një shumë prej 150 mijë eurosh. Për këtë gjë, viktima kishte hapur proces gjyqësor. Arsen Muskurti kishte kërcënuar edhe avokaten e të vëllait për shumën e parave që i kërkohej. Referuar informacioneve të “ABC”, si besimtar mysliman, 38-vjeçari mësohet se kishte 3 gra.

Dritan Muskurti u qëllua me një plumb në fytyrë ndërsa bashkëshortja e tij Nora kishte marrë 4 plumba në gjoks. Armën e krimit, Arsen Muskurti nuk pranoi ta tregonte në polici se ku e kishte siguruar.

Të Fundit