Policia ka arrestuar në spitalin e Traumës 31-vjeçarin Gert Shehu, i cili akuzohet për goditje për shkak të detyrës ndaj Sali Berishës.
Gjatë marrjes në pyetje ai ka dhënë dëshmi kontradiktore ndërsa prokuroria pritet të kërkojë ekspertim të gjendjes së tij psikike.
Në dëshminë e tij paraprake dhënë për hetuesit, Gert Shehu ka shfaqur qëndrim kontradiktor lidhur me pyetjen përse e goditi Sali Berishën me grusht, ndër to edhe se e kishte inat.
Atij i është komunikuar arrestimi në flagrancë në spitalin e Traumës mbrëmjen e së martës ndërsa prokuroria e Tiranës pritet të kërkojë ekspertim psikologjik për të.
31-vjeçari kurohej me ilaçe për çrregullim psikotik dhe ndiqej nga mjeku Sadik Lala i cili kishte dalë në këtë diagnozë paraprake.
Mjeku është marrë në pyetje nga policia bashkë me disa prej badigardëve personal të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha pasi ka dyshime të jetë konsumuar edhe vepra penale e dëmtimeve të tjera me dashje.
Hetuesit kanë administruar edhe disa video në rrjetet sociale të Gert Shehut dhe po punohet për të mësuar nëse i riu është nxitur për të kryer sulmin ndaj Sali Berishës.
Për këtë po verifikohen kontaktet e tij dhe me kë persona shoqërohej kohët e fundit.