Vijon operacioni policor i koduar “Twins”, si rezultat i punës operacionale të mirëkoordinuar me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinës.
Kapet dhe arrestohet një 23-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, pasi nga hetimet rezultoi se në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij binjakë, mbanin në banesë, 2 armë zjarri dhe municion luftarak.
Në kuadër të shkëmbimit të menjëhershëm të informacioneve me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinës, me qëllim ndalimin e një shtetasi të shpallur në kërkim, si rezultat i hetimeve të kryera në vijim të operacionit policor të koduar “Twins”, të zhvilluar më 23 shkurt, u kap në Morinë, si dhe u ndalua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, shtetasi i shpallur në kërkim nga Policia e Krujës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”:
D. L., 23 vjeç, banues në fshatin Derven, Krujë.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi D. L., së bashku me 2 vëllezërit e tij binjakë, të arrestuar në kuadër të operacionit “Twins”, mbanin në banesë 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pushkë, 2 krehra automaktiku, municion luftarak dhe 1 bajonetë, të cilat u gjetën dhe u sekuestruan gjatë këtij operacioni.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.