Policia e Gjirokastrës ka finalizuar operacionin e koduar “Turn 1”, duke arrestuar një shtetas pakistanez për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit.
Gjatë kontrollit në aksin “Tepelenë-Memaliaj”, policia ndaloi një automjet që transportonte 5 emigrantë nga vendet e treta, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Greqisë. Drejtuesi i mjetit me iniciale A. A., 19 vjeç, fillimisht refuzoi të ndalonte dhe vijoi lëvizjen me shpejtësi, por më pas braktisi automjetin dhe u largua në këmbë.
Falë reagimit të shpejtë të shërbimeve policore, i riu 19-vjeçar u arrestua.
Nga ana tjetër, automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.