Arrestohen tre kineze, dyshohet se ushtronin prostitucion në plazhin e Durrësit

Policia e Durrësit ka arrestuar tre shtetase kineze, të cilat dyshohet se ushtronin aktivitet prostitucioni në zonën e plazhit, ndërsa ka proceduar penalisht edhe pesë persona të tjerë për veprën penale “Prostitucioni”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Durrësit, pas tre javësh hetime me metoda proaktive, është finalizuar operacioni i koduar “Space”, ku në pranga ranë tre shtetase kineze që kishin marrë me qira një apartament në lagjen nr. 13, Plazh, të cilin e kishin përshtatur për të ushtruar prostitucion.

“Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë, për veprat penale ‘Prostitucioni’ dhe ‘Përshtatja e ambienteve për prostitucion’, shtetaset kineze: Y., 41 vjeçe, B., 43 vjeçe, H., 47 vjeçe,” – thuhet në njoftimin zyrtar.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni” ndaj pesë shtetasve të tjerë: Gj., O. Ll., V. N., A. K. dhe A. G.

Gjatë kontrollit në apartamentin e përshtatur për aktivitetin e paligjshëm, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 3 pasaportat e shtetaseve kineze, një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga prostitucioni, 8 aparate celularë dhe 11 karta bankare të lëshuara nga banka të Republikës së Kinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.

Të Fundit