Arrestohen 4 veterinerë për matrikullim të bagëtive të kontrabanduara nga Greqia

Policia e Korçës ka finalizuar një operacion të koduar “Matrikulli”, pas hetimeve që zbuluan matrikullimin e 120 bagëtive të kontrabanduara nga Greqia, në kundërshtim me urdhrin e Ministrisë së Bujqësisë për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së kafshëve të imta.

Katër veterinerë janë vënë në pranga për shpërdorim detyre, ndërsa një tregtar 39-vjeçar është shpallur në kërkim, i dyshuar për një sërë veprash penale që lidhen me kontrabandën, tregtimin dhe fshehjen e të ardhurave. Po ashtu, tre persona të tjerë janë marrë nën hetim për mbajtjen e kafshëve në stallat e tyre.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga kanë rënë punonjës të Autoritetit Kombëtar Veterinar dhe të Mbrojtjes së Bimëve, të cilët dyshohet se kanë pajisur kafshët me matrikulla zyrtare, duke u dhënë atyre legjitimitet.

Duhet thënë se bagëtitë e ardhura nga Greqia janë konsumuar ndërsa ka qenë dhe murtaja e bagëtive.

Baki Myrtollari, 64 vjeç, banues në Durrës, Kujtim Agolli, 57 vjeç, banues në Korçë, Demir Koritari, 64 vjeç, banues në Maliq, Ergys Lame, 39 vjeç, banues në Devoll përveç shpërdorimit të detyrës, për të rëndon edhe akuza për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Në kërkim është shpallur shtetasi G. M., 39 vjeç, banues në Devoll, i dyshuar për kontrabandimin nga Greqia të 100 bagëtive të imta dhe 20 gjedhëve. Dyshohet se ai ka bashkëpunuar me veterinerët e arrestuar për t’i pajisur kafshët me matrikullat zyrtare.

Ndërkohë, në Prokurori janë referuar materialet edhe për tre persona të tjerë që dyshohet se kanë mbajtur kafshët në ambientet e tyre: M. M., 40 vjeç, banues në Voskop, E. Z., 48 vjeç, banues në Bilisht, R. Zh., 57 vjeç, banues në fshatin Tren.

Ata do të hetohen në gjendje të lirë për veprën penale “ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”.

Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ku do të vijojnë veprimet e mëtejshme ligjore.

Të Fundit