Procedohen penalisht 4 të tjerë
3 ushtarakë janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës për kultivim kanabisi. Uniformat blu njoftuan këtë të shtunë se të arrestuarit janë 3 efektivë të repartit ushtarak në Zall Herr.
“Në vijim të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, shtetasit: Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë; Rustem Koçi, 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin dhe Gentian Zhurda, 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie”, njoftoi policia.
Ndërkohë janë proceduar penalisht 4 ushtarakë të tjerë.
“Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë: A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture; P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge; I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier; P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti”, njoftoi policia.
Sipas uniformave blu, këta persona, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike, në ambientet e repartit ushtarak. Policia ka asgjesuar atje 125 rrënjë kanabis.
Policia thotë se këto arrestime vijnë si pasojë e megaoperacionit të koduar “Fokusi” që është shtrirë në të gjithë vendin. Si rezultat i këtij aksioni, gjatë së premtes janë goditur edhe dy raste të tjera të kultivimit të kanabisit.
Në Fier janë arrestuar 3 vëllezër Luan, Astrit dhe Arben Kocaqi, ndërsa janë proceduar penalisht babai i tyre dhe djali i njërit prej tyre. Pas banesave ata kishin kultivuar 300 bimë kanabis.
“Përveç asgjësimit të bimëve narkotike, Policia e Fierit sekuestroi 1 armë gjahu, 2300 euro dhe rreth 500 000 lekë të rinj që këta shtetas i kishin përfituar nga shitja e drogës”, njoftoi policia.
Ndërsa në Selenicë u arrestua 29-vjeçari Lorenc Kapaj.
“Gjatë kontrollit të territorit të banesës së tij, Policia gjeti e sekuestroi 80 kubikë të kultivuar me fidanë kanabis, të cilët u asgjësuan me anë të djegies”, njoftuan uniformat blu.