Indrit Cerloj, Drejtor i IEVP Durrës është shkarkuar nga detyra nga Ministria e Drejtësisë, një ditë pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci.
Ndërkohë, Task Forca e Prokurorisë së Durrësit, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit në Burgje, ka arrestuar 8 persona ditën e sotme, më konkretisht: Dezdemon Pazaj zv/ shefi i policisë së burgut, Aulon Çuko kryeinfermieri i burgut të Durrësit, Violeta Uka specialistja e informacionit e burgut si dhe efektivët Dorian Saraçi, Sali Ferollari, Preng Marvataj, Fation Baçi dhe Aranit Çela janë arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë rolin e secilit të arrestuar në arratisjen e Altin Ndocit dhe përgjegjësitë e mundshme gjatë ngjarjes.
Dhjetëra persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje ndërsa burime thonë se Policia e Shtetit është njoftuar 20 minuta pas arratisjes së Ndocit. Dyshohet se arratia ka qenë e mirëorganizuar dhe e mundësuar përmes bashkëpunimit.
Kujtojmë se i paraburgosuri Altin Ndoci u arratis të martën nga spitali i Durrësit, pasi në ambientet e brendshme të tij shtyu dhe goditi dy policë që po e ruanin dhe doli jashtë, ku e priste një makinë me dy persona, me të cilën u largua.
Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai akuzohet nga SPAK për vrasje, grup kriminal, etj. Ndoci është në gjykim si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë” për masakrën e Bradasheshit, ku mbeti i vrarë vëllai i Erion Alibejt, Endrit Alibejt, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri, si dhe një shtetas turk.
Ai u arrestua në vitin 2020, i akuzuar për përfshirje në vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës, si dhe për pjesëmarrje në vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, po në Durrës, por më pas u shpall i pafajshëm nga gjykata.



