Ariu i murrmë shpëtohet nga kurthi në Trebinjë, AKZM: Është në gjendje të mirë

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka njoftuar këtë të martë se ka shpëtuar një ari të murrmë, i cili kishte rënë në një kurth në Trebinjë të Pogradecit.

Sipas njoftimit, ariu tashmë është i lirë dhe në gjendje të mirë, ndërsa është pajisur edhe me një GPS në qafë, me qëllim monitorimin e lëvizjeve të tij në vijimësi.

Rasti i shpëtimit të ariut vjen vetëm pak ditë pas njoftimit për humbjen e një tjetri, ndërsa agjencia u bën thirrje banorëve, turistëve dhe institucioneve lokale të njoftojnë menjëherë nëse hasin raste të ngjashme ose kafshë të egra në nevojë.

Kujtojmë që ditën e djeshme në rrjete sociale u njoftua rasti kur një ari i murrmë i cili prej 7 ditësh kishte rënë në një çark në pyjet e fshatit Xhafaj në Tepelenë, kishte ngordhur.

“Pas marrjes së njoftimit mbi një situatë të ndodhur në Trebinjë, Pogradec, ku një ari i murrmë kishte rënë në një kurth, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me AdZM Korçë, Qendrën AWRT, stafin e Kopshtit Zoologjik Tiranë dhe PPNEA, organizoi në kohë rekord operacionin e shpëtimit. Së bashku mundemi të mbrojmë dhe të mundësojmë habitate të shëndetshme për banorët e natyrës. Falënderojmë të gjitha strukturat që kontribuan, si Policinë e Shtetit, Kopshtin Zoologjik Tiranë, PPNEA dhe Qendrën AWRT”, njofton AKZM”, thuhet në njoftim.

Të Fundit