670 mijë litra naftë kontrabandë nga Tunizia janë sekuestruar në Durrës. Gjithashtu është sekuestruar anija me të cilën ishte kontrabanduar nafta, 14 dokumente identifikimi dhe dokumente për lundrim, 10 celularë dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për rastin.
Tre persona janë arrestuar, ndërsa pesë shtetas (shqiptarë dhe të huaj) pjesë e stafit po hetohen në gjendje të lirë.
Dy organizatorët e këtij rasti janë identifikuar ndërsa policia po punon për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Gjatë operacionit “Ari i Zi” u arresuan shtetasi sirian M. K., 45 vjeç, me detyrë kapiten i anijes, shtetasi shqiptar E. C., 43 vjeç, me detyrë marinar i anijes, si dhe shtetasi indian S. V., 42 vjeç, me detyrë oficer i parë i anijes. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit E. S., 59 vjeç, banues në Durrës, dhe F. B., 29 vjeç, banues në Zvicër.
Më tej, gjatë këtij operacioni, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 5 pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit të anijes, përgjegjës për mirëmbajtjen e mjetit.