Argjentina është finalistja e parë e Botërorit “Katar 2022”. Skuadra e drejtuar nga Lionel Skaloni, e udhëhequr nga Messi, ka mundur me shifrat 3-0 Kroacinë dhe pret tashmë të mësojë se kë do t’i rezervojë sfida tjetër si kundërshtar në finalen e 18 dhjetorit.
Skuadra argjentinase përfitoi nga gabimi i parë në qendër të mbrojtjes së ballkanasve duke fituar penallti me Alvarez.
Messi shënoi nga pika e bardhë dhe ia bëri shumë më të thjeshtë skuadrës së tij vijimin e ndeshjes pasi detyroi Kroacinë të sulmonte dhe e goditi me kundërsulme. Kështu erdhi goli i dytë, me protagonist Alvarez i cili këtë herë çoi vetë topin në rrjetë.
Kroatët nuk ia dolën të reagonin në pjesën e dytë të ndeshjes, edhe pse Daliç bëri disa zëvendësime në rreshtimin e të tijve. Nga një tjetër aksion i krijuar nga Messi, erdhi edhe goli i tretë, përsëri me protagonist Alvarez.