Është shkarkuar nga detyra drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Televizioni Klan ka mësuar nga burime zyrtare se ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ia ka përcjellë vendimin e tij Këshillit të Ministrave.
Shkarkimi i Veliut, vjen pas një sërë ngjarjesh kriminale, ku më e rënda ishte vrasja e një efektivi policie në Lezhë. Po ashtu, Veliu u shkarkua pas afatit 100 ditor që i kishte lënë kryeministri Rama policisë që të ndryshonte gjendjen e kriminalitetit dhe për të rritur sigurinë në vend.
Veliu u emërua në këtë post në shkurt të vitit 2018. Emri i Ardi Veliut u propozua nga ministri asokohe i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe u miratua nga kryeministri Rama.