“Asnjë nuk mund t’i thotë prokurorëve çfarë të hetojnë”. Kështu u shpreh kreu i SPAK, Arben Kraja teksa është thirrur në seancë dëgjimore për të raportuar në Komisionin e Ligjeve, këtë të premte.
Në këtë mënyrë, Kraja iu referua deklaratave publike të kryeministrit Edi Rama dhe anëtarëve të qeverisë se SPAK duhet të hetojë zyrtarët e lartë, përfshirë Sali Berishën. Kraja kujtoi dispozitat ligjore, duke theksuar edhe njëherë se ata veprojnë me kallëzime.
“Po i referohem kodit të procedurës penale. Është një dispozitë që nënpunësit publikë janë të detyruar të bëjnë kallëzim kur konstatojnë elementë të veprës penale. Në kompleksin e luftës kundër kriminalitetit nuk mund t’i kërkohet një strukture të vetme të bëjë gjithçka.
Ne vlerësojmë çdo opinion të partnerëve, kuvendit dhe njerëzve për të ndërtuar punën tonë. Askush nuk mund ti thotë një prokurori që duhet të hetosh këtë apo atë çështje penale. Prioritete janë të lidhura edhe me ngarkesën, apo personat e arrestuar”, tha Kraja.
Sakaq, Enkelejd Alibeaj i cilësoi ndërhyrje në drejtësi deklaratat publike të kryeministrit, ndërsa pyeti kreun e SPAK nëse ndaj të njëjtin mendim. Kraja tha se nuk ndikohen nga deklaratat dhe vazhdojnë punën e tyre.
“A janë deklaratat publike ndërhyrje në drejtësi? Unë nuk dua të komentoj se s’më takon mua. Jam zbatues i ligjit. Ne kemi një parim që të mos ndikohemi nga deklarimet publike. Ne duhet të vazhdojmë të shohim ato që kemi, provat dhe dosjet”, tha ai.