Pas vendimit të gjykatës së Apelit për zbutjen e dënimit për autorin e vrasjes së oficerit të policisë në Fier, Novruz Cenalia, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka bërë një reagim duke e cilësuar këtë vendim si një akt me pasoja të rrezikshme, që cenon jo vetëm emrin dhe sakrificat e punonjësve të policisë, si dhe kërcënon rendin ligjor dhe vetë shtetin.
Ministri nënvizon se megjithëse nuk është njohur me arsyetimin e plotë të trupës gjyqësore, masa e dhënë, e cila është tejet e butë në raport me krimin e kryer, “është thellësisht shqetësuese”.
Më poshtë reagimi i tij i plotë:
Vendimi për zbutjen e dënimit ndaj autorit të vrasjes së një punonjësi të Policisë së Shtetit është thellësisht shqetësues. Edhe pse nuk jemi njohur ende me arsyetimin e plotë, vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalia ishte një sulm i hapur ndaj vetë shtetit dhe rendit ligjor.
Një akt i tillë nuk lëndon vetëm familjen e të ndjerit dhe dekurajon kolegët në uniformë, por rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës. Respektojmë pavarësinë e gjyqësorit, por presim që drejtësia të jetë e fortë dhe në lartësinë e përgjegjësisë që ka ndaj qytetarëve dhe ndaj atyre që mbrojnë rendin çdo ditë. #LavdiDëshmorëvetëPolicisë????????
Vendimi i Apelit
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm dënoi me 35 vite burg Azgan Mërnicën, i cili vrau me armë zjarri, efektivin e forcave “Shqiponja”, 28-vjeçarin, Novruz Cenalia.
Më herët Gjykata e Fierit e kishte dënuar Mërnicën me burgim te përjetshëm.
Prokuroria e akuzoi Mërnicën për veprat penale “vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit”, “armëmbajtje pa leje” dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”. Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj të vitit 2024, në fshatin Baltëz të Fierit.



