Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për Belinda Ballukun ku i ndalohey dalje jashtë vendit. Për masën e pezullimit, Apeli i GJKKO nuk është shprehur deri në vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese.
Apeli i GJKKO gjithashtu la në fuqi arrestin shtëpiak për kreu e ARRSH, Gentian Gjyli dhe kreun e KESH, Erald Elezi.
Vendimi i plotë:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, sot më datë 18.12.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 86 akti, datë 11.12.2025 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve B.B., G.Gj. dhe E.E., me objekt “Ankim ndaj vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
- Miratimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në lidhje me ankimin e ankueses B.B.
- Pezullimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes nr.86 (61007-00414-87-2025), datë regjistrimi 11.12.2025, përsa i përket shqyrtimit të ankimit të ankueses B.B. ndaj vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ajo ka kundërshtuar caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, deri në zgjidhjen me vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese të çështjes së regjistruar për gjykim në atë gjykatë, me kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “(i) zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë; (ii) shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që ka vendosur masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetases B.B. dhe pezullimin e këtij vendimi; (iii) interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës”, çështje për të cilën Gjykata Kushtetuese ka disponuar me vendimin datë 12.12.2025: “Pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases B.B., sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës”.
- Miratimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, të parashikuara nga neni 237 i K.Pr.Penale, në lidhje me ankuesin E.E.
- Miratimin e vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, të parashikuara nga neni 237 i K.Pr.Penale, masë e caktuar me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025, në lidhje me ankuesin G.Gj.



