Çmimet e ushqimeve, frutave dhe perimeve kanë pësuar rritje në muajin Dhjetor. Sipas qytetarëve tryeza e ndërrimit të viteve, do të ketë më pak produkte pasi nuk mund të përballojnë dot çmimet. Shumë familje kanë hequr dorë dhe nga gjeli i detiti pasi këtë vit çmimi arriti në 1300 Lekë/kg.
“Nuk i përballon dot asnjë njeri çmimet. Të gjitha pa përjashtim sidomos për pjesën dërmuese të popullit është gjynah. Unë nuk e bëj me gjel deti, jam bektashjan. Me 7 mijë Lekë peshë e gjallë. (mishi i qingjit)”
“Ne me ato(pensionet) nuk e mbulojmë kurrë sepse vetëm taksat që vijnë… Të marrësh një kg djath me 16-17 mijë Lekë edhe ai uji se e fusin në ujë të peshojë rëndë, i fusin edhe kripë.”
Sipas konsumatorëve çmimet nuk janë të larta vetëm për festat e fundvitit, por ata përballen me ushqime të shtrenjta gjatë gjithë vitit.
“Tërë kohën kanë qenë të rritura. Nuk blejmë dot një gjë. Janë tërë të rritura. Po më e varfër do të jetë. Sidomos zarzavatet janë shumë të shtrenjta. Marrim një kg, dy kaq.”
Çmimet e larta bëjnë që familjet shqiptare pjesën më të madhe të të ardhurave ta shpenzojnë për konsum. Sipas të dhënave të INSTAT rreth 40% e buxheteve familjare shkon për ushqime, ndërkohë që në Europë mesatarja e shpenzimeve për konsum është rreth 13% e buxhetiti, ndaj shqiptarët renditen të fundit në Europë për fuqinë blerëse.