Amerika sulmon Iranin: Bombarduesit B2 godasin centralet bërthamore! Reagon Trump

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një ofensivë ajrore të drejtpërdrejtë ndaj tre centraleve bërthamore iraniane. Sulmi u konfirmua nga Presidenti Donald Trump përmes një postimi në platformën Truth Social, ku tha se operacioni ushtarak ndaj objekteve në centralet e Fordoë, Natanz dhe Esfahan ka përfunduar me sukses.

“Ne kemi përfunduar sulmin tonë shumë të suksesshëm në tre centralet bërthamore në Iran, duke përfshirë Fordoë, Natanz dhe Esfahan. Të gjithë aeroplanët tani janë jashtë hapësirës ajrore të Iranit,” deklaroi Trump, duke shtuar se një “ngarkesë e plotë bombash” ishte hedhur mbi kompleksin në Fordoë.

Sipas burimeve të cituara nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, bombarduesit strategjikë amerikanë B-2 janë përdorur në operacionin ajror. Më herët, këta avionë ishin parë duke u zhvendosur në bazën ajrore amerikane në Guam, duke ngritur spekulime për një ofensivë të afërt.

Zyrtarë të paidentifikuar të mbrojtjes konfirmuan për mediat se bombarduesit B-2 ishin pjesë kyçe e misionit, duke goditur objektivat e identifikuara si pjesë e programit bërthamor iranian. Sulmet u kryen në një hark kohor të kufizuar dhe avionët janë kthyer tashmë drejt bazave të tyre në SHBA.

Presidenti Trump bëri të ditur se do t’i drejtohet kombit nga Shtëpia e Bardhë me një fjalim lidhur me këtë operacion, të cilin e quajti një “moment historik” jo vetëm për SHBA-në, por edhe për Izraelin dhe botën në tërësi.

“Ky është një MOMENT HISTORIK për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraelin dhe botën. Irani tani duhet të bien dakord për t’i dhënë fund kësaj lufte. FALEMINDERIT!”, shkroi presidenti.

Të Fundit