Ambasadori italian Bucci merr titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës

Ambasadori italian në Tiranë, Fabrizio Bucci u vlerësua nga bashkia e Gjirokastrës me titullin “Qytetar Nderi”.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në ambientet e muzeut “Kadare” në Gjirokastër ishin të pranishëm ambasadori Fabrizip Bucci, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, drejtues të lartë vendorë, qytetarë, etj.

Ambasadori Bucci u vlerësua me titullin “Qytetar nderi” me motivacionin “Për kontributin e dhënë në forcimin e lidhjeve historike dhe të bashkëpunimit aktual mes Italisë dhe Gjirokastrës.

Mirënjohje për vëmendjen dhe iniciativat e tij me ndikim në ngritjen në një nivel edhe më të lartë të marrëdhënieve, falë realizimit me sukses të programeve dhe projekteve në fushat e kulturës, turizmit, ekonomisë dhe edukimit”.

“Jam ndjerë si në shtëpinë time në Gjirokastër, pas 5 vitesh mbarova mandatin tim dhe Shqipërinë do ta kem në zemrën time. Ka qenë një periudhë që ne kemi bërë shumë për marrëdhëniet Itali-Shqipëri.

Italianët janë grupi më i madh i turistëve që vijnë në Shqipëri dhe marrëdhëniet politike midis Shqipërisë dhe Italisë janë forcuar akoma edhe më shumë’, tha Bucci.

Duke u ndalur tek zgjedhjet e 11 majit, ambasadori Bucci u shpreh se “pas pak muajsh do të jenë zgjedhjet dhe shpresoj të jetë një fushatë e bazuar në programe, sepse qytetarët duhet që të kuptojnë se kush është programi i partive politike dhe të kuptojnë se çfarë do të bëjë politika për ta”.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Golemi vlerësoi kontributin e ambasadorit Bucci në këto katër vite të qëndrimit të tij në Shqipëri dhe sidomos kontributin që ka dhënë për Gjirokastrën.

Të Fundit