Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka ndarë një mesazh të rëndësishëm në rrjetet sociale, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit të qytetarëve në luftën kundër trafikut të drogës.
Në njoftimin e saj, ambasada u bën thirrje qytetarëve që kanë informacione në lidhje me aktivitetete të paligjshme që lidhen me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimin e parave nga droga, që t’i ndajnë këtë informacion me DEA-n amerikane. Për këtë qëllim, është vendosur një linjë e veçantë sinjalizimi, ku qytetarët mund të kontaktojnë në mënyrë të sigurt dhe konfidenciale.
Në vijim është njoftimi i plotë i ambasadës:
“Linja e sinjalizimit të Agjencisë së ShBA Kundër Narkotikëve është aktive. DEA nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në WhatsApp në: +1 571 502-7846 ose me email në: [email protected]. Të gjitha të dhënat do të mbahen të fshehta. Falënderimet tona për të gjithë ata individë që kanë dorëzuar të dhëna të besueshme që kanë mbështetur operacionet e DEA-s. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me të, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve të të dy vendeve tona dhe parandalimin e hyrjes së drogave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara”.