Në bisedën në emisionin “Shije Shtepie” në Tv Klan, mjekja Suela Xhufi përshkroi një panoramë alarmante të përdorimit të substancave të dëmshme nga të rinjtë shqiptarë. Ajo ndau të dhëna tronditëse, duke theksuar se fenomeni i përdorimit të alkoolit, cigareve dhe drogës ka pësuar një ulje të moshës prej kur fillon.
Xhufi tha se në vitet e fundit ka pasur një rritje të numrit të fëmijëve që fillojnë përdorimin e këtyre substancave që në moshën 9-vjeçare. Problemet nuk lidhen më vetëm me familjet në krizë, por ndodhin edhe në ato mesatare, ku mungesa e vëmendjes prindërore është një nga faktorët që ajo veçon.
Suela Xhufi: Në qoftë se ne para 5-6 vjetësh cigaren e parë, alkoolin e parë e kishim 11 vjeç, unë kam pasur pacientë që kanë filluar 9 vjeç. Kemi një barazim të sekseve, femra-meshkuj, pra femrat kanë filluar të përdorin jo vetëm drogën por edhe alkolin, pavarësisht se femrat kanë një nivel më të ulët tw ardhjes së të kërkuarit ndihmë se e menaxhojnë më mirë se meshkujt këtë lloj pjese ose sepse ndoshta është opinioni dhe nuk vijnë shumë femra, meshkujt vijnë më shpesh. Ne i shikojmë në rastet e rënda që është rritur numri i përdorimit te femrat, pra kemi njëfarë barazimi.
Katerina Trungu: 9 vjeç?! Nuk ma merrte mendja kurrë që do e dëgjoja një gjë të tillë.
Suela Xhufi: Ka pasur shumë raste, 9 vjeç, jo vetëm të alkoolit por edhe të marijuanës, cigares së parë.
Agida Koçi: Janë fëmijë që vijnë nga një situatë rruge?
Suela Xhufi: Jo, janë fëmijë që vijnë nga familje shumë të shëndetshme. Janë fëmijë nga familje…ky është problemi. Nëse deri dje kemi pasur fëmijë nga familje që prindërit janë ose të divorcuar, ose pa një prind, familje në varfëri ekstreme ose shumë të pasura, tani kemi familje mesatare, kemi familje që janë prindër shembullorë. Problemi qëndron te mosqenia prezent gjatë ditës me fëmijët, të paktën unë këtë emër mund t’i vë.
Katerina Trungu: Dhe kur trokasin këta fëmijë te dera e mjekut për ndihmë në moshë kaq të hershme…
Suela Xhufi: Ata trokasin në moshë jo të hershme, jo 9, ata trokasin në moshën 15-16 vjeç kur kanë filluar t’i përdorin të gjitha.