Teksa ndodhet në qeli me akuzën për përdhunimin e një vajze shqiptare, ish-sulmuesi i Milanit, Robinho, ka folur për herë të parë nga burgu.
41-vjeçari, që ka qenë pas hekurave për më shumë se një vit e gjysmë, përshkroi jetën e tij të përditshme dhe hodhi poshtë akuzat për trajtim preferencial brenda institucionit penal. Ish-sulmuesi i Real Madrid, Manchester City dhe Santos mohoi zërat se vuan nga probleme psikologjike:
“Dieta dhe orari im i gjumit janë të njëjtë me të gjithë të tjerët. Nuk kam ngrënë kurrë asgjë të ndryshme dhe as nuk kam marrë ndonjë trajtim të veçantë. Kanë përhapur gënjeshtra se unë jam një udhëheqës ose kam probleme mendore. Nuk kam pasur kurrë asnjë nga këto, as nuk kam marrë ndonjëherë ilaçe. Është e vështirë të jesh në burg, por falë Zotit po ruaj qetësinë. Rojet japin urdhra dhe të burgosurit binden. Nuk ka trajtim të veçantë për askënd.”
Dikur një nga talentet më premtues të futbollit brazilian, Robinho u shpall fajtor në vitin 2017 nga një gjykatë italiane për përdhunimin e shqiptare 23-vjeçare në një klub nate në Milano, bashkë me pesë persona të tjerë.
Ai mohon kategorikisht akuzat, ndërsa vazhdon të kërkojë mënyra ligjore për të apeluar vendimin. Braziliani është i dënuar me 9 vite burg.



