Akuzohet se hodhi foshnjën në lumë, 29-vjeçarja: U zvarrit dhe ra në ujë

“Nuk e vrava fëmijën, ajo u zvarrit dhe ra në ujë”. Kështu është shprehur nëna 29-vjeçare në Greqi, që akuzohet se hodhi në lumë foshnjën e saj natën e ndërrimit të viteve.

E reja ka theksuar se foshnja ka rënë aksidentalisht në ujërat e akullta të digës së Aliakmonasit.

“E vërteta është se isha duke e mbajtur në krahë kur më ra nga duart në ujë. Nuk mund të hidhesha në ujë për ta nxjerrë jashtë. Më akuzojnë për gjëra që nuk i kam bërë. E doja shumë vajzën time”, tha ajo, ndërsa pohoi se kishte shkuar me të bijën në skelën e digës së Aliakmonasit për të luajtur.

Të njëjtin qëndrim ajo pritet ta mbajë edhe nesër paradite kur do të dalë para hetuesisë në Gjykatën e Verisë. Mësohet se nesër foshnja do të kishte ditëlindjen dhe do të mbushte një vjeç.

Ndërkohë vëllai i së resë është shprehur se “ajo e donte shumë fëmijën e saj, flinte me të. Nuk e di se çfarë e shtyu atë drejt këtij akti”. Sipas vëllait të të pandehurës, një punonjës social vizitonte shtëpinë ku jetonte 29-vjeçarja me foshnjën, nënën dhe gjyshin e saj, por së fundmi i kishte ndërprerë vizitat. “Nuk kishte ardhur që nga gushti, gjithsej kanë qenë dy-tri herë në shtëpi. Motra ime ishte në mjekim, por kohët e fundit e kishte ndërprerë atë. Dukej mirë dhe e donte fëmijën”, thotë ai.

Më tej vëllai i 29-vjeçares thotë se nuk mund ta kuptojë se çfarë e çoi motrën e tij drejt aktit të rëndë, ndërsa siç thotë ai, kur ajo u largua nga shtëpia me foshnjën në natën e ndërrimit të viteve, nuk u tha familjarëve se ku po shkonte. “Kur u kthye pa fëmijën, gjyshi thirri menjëherë policinë. Ajo na thoshte se fëmija është mirë dhe ne menduam se ishte me babain”, vëren ai.

Sipas tij,  29-vjeçarja ishte shtruar disa herë në të kaluarën në një Klinikë Psikiatrike.

Të Fundit