GJKKO ka dënuar me 4 vite burg ish-deputetin socialist Alqi Bllako për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 2.8 vite burg.
Më 28 shkurt, SPAK kërkoi 5 vite burg për ish-numrin dy të ministrisë së Mjedisit.
Bllako akuzohet se ka kryer korrupsion pasiv me inceneratorin e Tiranës, e për këtë arsye prokuroria kërkon që ai të mos ushtrojë funksione publike për 5 vjet.
Në konkluzionet përfundimtare SPAK kishte përpiluar 52 faqe që provonin sipas akuzës, se Alqi Bllako ka kryer vepra korruptive në dy episode të ndryshme gjatë detyrës së tij si sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit, që drejtohej nga Lefter Koka.
Sipas SPAK, Bllako ka sugjeruar Vladimir Bezhanin që të punësohej si këshilltar i jashtëm i ministrisë, që do të ndihmonte në ndërtimin e impiantit të incenerimit të mbetjeve në Tiranë.
Bezhani është një nga njerëzit kyç që lidhet me Klodian Zoton, përfituesi i koncesionit dhe pronari i Integrated Technology. Për të vendosur në punë Bezhanin, SPAK thotë se Alqi Bllako u korruptua me 7 milionë e 520 mijë lekë.
Alqi Bllako dyshohet se ka përfituar edhe 119 mijë euro për një pajisje në funksion të biznesit të babait të tij.
Ky është momenti i dytë për të cilin ai akuzohet se ka kryer korrupsion. Të gjitha këto lidhje SPAK i ka zbuluar duke gjeneruar email-et nga kompjuteri i sekuestruar i Klodian Zotos.
Bllako është dënuar me vendim të formë së prerë nga Apeli i Posaçëm për shpërdorim detyre për inceneratorin e Elbasanit, me 2 vjet e tetë muaj burg. Ndërsa për Inceneratorin e Fierit, çështja është rikthyer në shkallë të parë