Gjykata e Shkallës së Parë Berat ka dhënë sot masat e sigurisë për shtetasit Andon Shoshari, 20 vjeç dhe Ardit Nano, 33 vjeç, banues në Berat. Këta dy shtetas u arrestuan mbrëmjen e së enjtes për përdhunimin e dy vajzave, njëra 16 dhe tjetra 19 vjeçe. Të arrestuarit kanë mbërritur në Gjykatën e Beratit nën masa të rrepta sigurie, pasi zona e jashtme e gjykatës ka qenë e tejmbushur me familjarë të të katër familjeve.
Mësohet se asnjë prej dy djemve nuk e ka pranuar akuzën e përdhunimit dhe kanë deklaruar në sallë se vajzat kanë gënjyer. Ashtu siç edhe deklaroi dy ditë më parë, edhe sot para gjykatës nëna e 16-vjeçares Rudina Zerellari ka deklaruar në media se gjithçka është gënjeshtër dhe se vajza e saj është manipuluar për të denoncuar nga familja e të fejuarit, i shtyrë nga xhelozia sepse ajo ka qenë 6 muaj e martuar me Shosharin më parë. Të njëjtën deklaratë ka dhënë edhe mamaja e 20-vjeçarit Andon Shoshari, e cila ka kërkuar drejtësi për djalin e saj.
Prokurorja Denisa Perdja ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat për të dy djemtë, ndërkohë që gjyqtarja Ardjola Çela, pasi ka dëgjuar organin e akuzës dhe pretendimet e avokatëve të Shosharit dhe Nanos, ka vendosur për ta masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 40 ditë, deri në mbërritjen zyrtare të ekspertizës mjeko-ligjore të kryer mbi vajzat.