Turqia ka lëshuar urdhër-arreste për akuza për gjenocid kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe zyrtarëve të lartë brenda qeverisë së tij.
Midis 37 të dyshuarve të listuar ishin ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, ministri i sigurisë kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe shefi i ushtrisë, gjenerallejtënant Eyal Zamir, thuhet në një deklaratë nga zyra e prokurorit të Stambollit, e cila nuk e publikoi listën e plotë.
Turqia i ka akuzuar zyrtarët për “gjenocid dhe krime kundër njerëzimit”, të cilat Izraeli i ka “kryer sistematikisht” në Gaza.
Deklarata i referohet gjithashtu “spitalit të miqësisë turko-palestineze”, të ndërtuar nga Turqia në Rripin e Gazës dhe të bombarduar nga Izraeli në mars.
Izraeli e denoncoi urdhër-arrestin si një “mashtrim PR”.
Gideon Saar, ministri i jashtëm, tha në X: “Izraeli e kundërshton me vendosmëri, me përbuzje, marifetin e fundit të marrëdhënieve me publikun nga tirani “presidenti Rexhep Tajip Erdogan”.
Turqia vitin e kaluar iu bashkua çështjes së Afrikës së Jugut që akuzonte Izraelin për gjenocid në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë .
Një armëpushim i brishtë ka qenë në fuqi në territorin e shkatërruar palestinez që nga 10 tetori, si pjesë e planit rajonal të paqes të Donald Trump.



