Mjekët e Spitalit Infektiv përmes një video mesazhi kanë reaguar ndaj deklaratës së kreut të PD, Lulzim Basha se shifrat e viktimave nga COVID janë manipuluar qëllimisht, duke e cilësuar këtë një deklaratë dashakeqe dhe në mungesë të plotë të humanizmit nisur nga koha që po jetojmë.
Në deklaratën e shpërndarë për mediat, shefja e Infektivit, Najada Çomo shprehet se nëse të tilla akuza përsëriten, do të merren masa duke thirrur prokurorinë që të hetojë kartelat e personave që kanë ndërruar jetë.
“Nuk është kurrsesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga COVID, kjo është praktikisht dhe teorikisht e pamundur. Kartela që përcjell të vdekurin në morg është e vulosur nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit dhe ka konstatuar edhe vdekjen.
Shkak i humbjes së një jete në spital nuk mund të përcaktohet nga politika apo nga kushdo qoftë, veç mjekut. Kartelën e viktimës s’e zëvendësojnë dot deklaratat bombastik që vënë në pikëpyetje humanizmin e vetë personave që i kanë lëshuar në këtë kohë të vështirë që po kalojmë. Bëjmë me dije se nëse kjo akuzë do të përsëritet ne do të ftojmë organet kompetente që të verifikojë çdo kartelë.
Duhet t’i jepet fund kësaj praktike që bën politikë me vdekjet. Dalja jashtë shinave të së vërtetës në një kohë si kjo është gjëja e fundit që na shkon në mend”, thuhet veç të tjerash në deklaratë.