Të rinj, natyralistë si dhe të apasionuar pas natyrës u organizuan në një nismë sensibilizuese për pastrimin e mbetjeve plastike në rrjedhën e lumit Buna.
Nëpërmjet lundrimit me kanoe, të rinjtë shijuan bukuritë e lumit si dhe larguan mbetjet e shumta që kishin pushtuar një pjesë të rrjedhës.
Më të veçantët ishin nxënësit e shkollës speciale “3 Dhjetori”, të cilët u bashkuan në mesazhin fisnik për të dashur natyrën.
Organizatori Drini Xhafa thotë se aksione të tilla janë të rëndësishme.
“Nisma të tilla të mos jenë sporadike, por të ushqehen përmes arsimit”, shprehet Xhafa.
Aurora Pirovic, biologe thotë se mbetjet plastike që u gjetën janë shumë të dëmshme për botën ujore në lumin Buna.
“Jo vetëm që plastika ndot mjedisin, por është shumë e dëmshme, toksike për botën ujore dhe shëndetin e njerëzve”, shprehet ajo.
Kryeinspektorja e zonave të mbrojtura, Age Martini thotë se ky problem është tejet shqetësues dhe një problematikë e tillë u është vënë në dukje dhe nga turistët gjatë sezonit turistik./EuronewsAlbania