Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër kundër aksionit për heqjen e objekteve të vendosura nga banorët e Thethit, duke dalë në mbrojtje të tyre dhe duke u shprehur se ky veprim nuk mund të bëhet në mes të sezonit turistik.
Sipas Berishës, këto nuk janë ndërtime pa leje, por objekte të vendosura nga banorët në tokat e tyre, që nuk përbëjnë shkelje të ligjit të urbanistikës.
“Një terror dhe krim i shëmtuar po ushtrohet mbi banorët dhe turistët e Thethit. Në një akt, do të thosha kriminal, Edi Rama në mesin e sezonit turistik ka gjetur hakmarrjen ndaj Thethit për t’ia larguar edhe ata turistë që i shkojnë si burimi i vetëm i të ardhurave për atë komunitet. Asnjë pëllëmbë nuk është ‘tokë e xanun’, çdo pëllëmbë tokë e atyre fshatarëve është tokë e trashëguar brez pas brezi. Nëse banorët kanë vendosur kabina apo kontejnerë në tokën e tyre, padyshim që kjo përbën një shkelje, por jo të ligjit për urbanistikën, pasi ky ligj nuk i klasifikon ndërtimet pa themel si ndërtime pa leje, por si ndërtime me deklarim. Pavarësisht kësaj, çfarëdo të ishte situata e tyre, nuk mund të ndërhyhet në kulmin e sezonit turistik. Në këtë periudhë kanë ardhur turistë nga Australia, Gjermania, Izraeli, Franca, Italia dhe shumë vende të tjera, dhe ndaj këtyre njerëzve shteti po dërgon forca të veshura me uniformë për t’u çmontuar kabinat, çadrat apo çfarëdo strukture tjetër”, tha Berisha.
Ai shtoi se po zhvillohet një përplasje ku banorët dhe turistët janë bashkuar në reagim, ndërsa ky veprim është i papranueshëm dhe ngjan me “shfryrje urrejtjeje” nga një njeri që përfaqëson një frymë hakmarrjeje.
Berisha theksoi gjithashtu se, edhe nëse ishte kryer një shkelje, duhej t’u dërgohej banorëve njoftim dhe ndërhyrja të bëhej në fund të sezonit.
“Edhe nëse ata do bënin shkelje, t’u dërgohej letër-njoftim dhe në mbarim të sezonit të merreshin masa,” tha ai.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama, duke u shprehur se ky aksion po përdoret për të hequr vëmendjen nga akuzat për manipulimin e zgjedhjeve më 11 majm.
“Veprime të tilla bëhen sot vetëm për të zhvendosur vëmendjen nga akuzat për manipulim zgjedhjesh dhe farsën elektorale që po i del në shesh. Ai bën çdo gjë që vëmendja e shqiptarëve të mos jetë aty ku duhet”, tha Berisha.