Aksion për lirimin e plazheve në Vlorë, hiqen 40 çadra në Lungomare

Policia e rendit dhe shërbimet e Bashkisë Vlorë kanë nisur një aksion të gjerë kontrolli në vijën bregdetare, me fokus verifikimin e dokumentacionit për shfrytëzimin e hapësirave publike nga subjektet private.

Gjatë inspektimeve të zhvilluara në zonën e Lungomares, strukturat përgjegjëse konstatuan zaptimin e plazhit nga një subjekt privat, i cili kishte zënë në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej rreth 500 metrash katrorë.

Autoritetet ndërhynë duke hequr 40 çadra dhe 80 shezlongë që ishin vendosur pa lejen e nevojshme. Hapësira e zaptuar do t’i rikthehet përdorimit si plazh publik, duke qenë e aksesueshme për të gjithë qytetarët dhe pushuesit.

Operacioni u zhvillua pa kundërshtime nga pronari i subjektit, ndërsa autoritetet bënë të ditur se kontrolle të tilla do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare të Vlorës, për të garantuar respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e hapësirave publike.

Të Fundit