Dy turistët anglezë me origjinë ganeze, të cilët u përfshinë në një aksident me Jet Ski paraditen e së dielës tek Shkëmbi i Kavajës, hynë në thellësi, edhe pse nuk dinin not.
Si pasojë e aksidentit, humbi jetën 34-vjeçari Sylvester Obeng, i cili ditën e ngjarjes kishte dalë në det së bashku me partneren e tij për të lundruar me një Jet Ski të marrë me qira, ndonëse nuk ishte i pajisur me patentë.
Në rrëfimin e saj, e mbijetuara Vera Baume ka deklaruar se ajo dhe partneri kanë rënë nga Jet Ski si pasojë e humbjes së ekuilibrit dhe nuk janë përplasur.
Kanë rënë në det dhe, sipas saj, jeleku i shpëtimit nuk i ka mbajtur mbi ujë.
“Në orën 10:00 të së dielës, shkuam me disa shokë për të marrë motora uji. Personi që ishte aty na mësoi si t’i drejtonim. I dhamë lekët, morëm motorin dhe hymë në ujë. Përpara, na veshi me jelekë; më pas, hymë në ujë avash-avash, pasi nuk jemi specialistë. Kur shkuam larg, Sylvester-i i dha gaz dhe e ktheu motorin në mënyrë të menjëhershme. Aty u rrëzuam dhe ramë në ujë të dy. Nuk dinim not dhe po përpiqeshim të mbijetonim. Duke u përpjekur të mbijetonim, Sylvester-in nuk e mbajti mbi ujë jeleku, dhe unë, në mbijetesë e sipër, nuk e pashë më çfarë ndodhi me të,” tregoi e mbijetuara Vera Baume.
Pas këtij momenti, ndihma e parë u është dhënë nga policia kufitare, e cila rastësisht ka qenë duke patrulluar në zonën ku ndodhi ngjarja.
E mbijetuara tregon edhe momentin e mbërritjes së policisë kufitare dhe të skafit të subjektit që jepte Jet Ski me qira.
Vetë pronari i subjektit, Luiz Xhumari, ka deklaruar se ka bërë të pamundurën për t’u ardhur në ndihmë turistëve, por distanca e largët ku çifti anglez kishte lundruar e ka bërë të pamundur shpëtimin e 34-vjeçarit.
Kur dy turistët u nxorën në breg, stafi i një autoambulance, që po i priste në kalatë, konstatoi se ai kishte humbur jetën.
Pas veprimeve hetimore, policia arrestoi pronarin e subjektit që lëshonte me qira mjetet lundruese, pasi rezultoi se u kishte dhënë Jet Ski-n turistëve, ndonëse ishin pa patentë.
Xhumari tha në polici se turistët i kishin dhënë një dokument të huaj si leje drejtimi dhe se kishte menduar që ishte patentë e rregullt për Jet Ski.
Gjithashtu, sipas policisë, ai duhet t’i kishte pajisur turistët edhe me skafandër mbrojtëse.