Një aksident ka ndodhur në bypass-in e rrugës Zërvaske – Qafë Plloçë, një segment i projektit të rrugës Qukës – Qafë Plloçë, ku dy persona kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacioneve, një 27-vjeçare ishte duke udhëtuar me nënën e saj në këtë segment, i cili është ende në ndërtim. Për shkak të pakujdesisë, ajo ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga, duke rënë poshtë në njërën nga urat.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesja e mjetit dhe nëna e saj, që udhëtonte si pasagjere, janë plagosur dhe janë dërguar në spitalin e Pogradecit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Duhet theksuar se ky segment rrugor, për shkak të punimeve që po kryhen, nuk është i hapur për qarkullim, si për mjetet që dalin nga Pogradeci, ashtu edhe për ato që vijnë nga Korça në drejtim të këtij qyteti. Policia e qarkullimit rrugor ka ndërhyrë herë pas here për të kontrolluar hyrjen dhe daljen në këtë segment.