Aksident i rëndë në Levan-Tepelenë, humb jetën 39-vjeçarja, plagosen 2 të tjerë

Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur mëngjesin e së dielës në aksin Levan-Tepelenë.

Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin që lidh fshatin Varibop me autostradën Levan-Tepelenë.

Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, por edhe atyre zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë, një autoveturë tip “ Kia” që drejtohej nga një shtetase 39-vjeçare, e identifikuar si Nertila Abazaj, ka dalë nga rruga e fshatit Varibop për të hyrë në autostradën Levan-Tepelenë.

Në momentin e hyrjes në autostradë, automjeti i saj është përplasur nga një furgon që po qarkullonte në këtë aks rrugor.

Si pasojë e goditjes së fortë, 39-vjeçarja ka humbur jetën në vendngjarje ndërsa drejtuesi dhe pasagjeri që ndodheshin në fugon janë transportuar drejt spitalit rajonal Fier për të marrë ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas aksidentit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe patrulla e qarkullimit rrugor për të normalizuar lëvizjen e automjeteve në këtë segment. Gjithashtu, janë thirrur edhe shërbimet zjarrfikëse për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit të viktimës nga automjeti.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti tragjik.

Të Fundit