Dritan Mandro, banues në Fier, është drejtuar në emisionin “Stop”, pasi prej më shumë se një viti, nuk po arrin të takojë djalin e tij 7-vjeçar, pavarësisht një vendimi të formës së prerë të gjykatës, që i njeh të drejtën e takimeve çdo të shtunë dhe komunikim të rregullt me fëmijën.Sipas Dritanit, ish-bashkëshortja e tij ka penguar në mënyrë të vazhdueshme zbatimin e vendimit gjyqësor. Ai është drejtuar pranë zyrës përmbarimore në Fier, por nëna ka refuzuar ta zbatojë atë. Për këtë arsye ndaj saj është vendosur një masë administrative, të cilën ajo e ka kundërshtuar në gjykatë. Përmbarimi ka bërë me dije se, në vijim, pritet të ndiqet rruga e kallëzimit penal për moszbatim vendimi gjykate.Vetë Dritani ka siguruar disa video nga takimet me të birin, ku fëmija shprehet, se nuk e le e ëma të takojë babain. Në një bisedë të zhvilluar rreth një vit më parë mes ish-bashkëshortëve, nëna i deklaron hapur Dritanit, se nuk do ta lejojë më të takojë djalin. Nga ana e tij, Dritani pretendon, se i ka përmbushur dhe do t’i përmbushë detyrimet ekonomike, por kërkon, që të respektohet e drejta e tij ligjore mbi të birin.Sipas ankesës së depozituar nga nëna, ajo pretendon, se fëmija nuk dëshiron ta takojë babanë dhe se veprimet e tij janë traumatizuese. Megjithatë, në raportin e psikologut, të përfshirë në rast, thuhet, se fëmija ndikohet nga nëna dhe se janë evidentuar pengesa në realizimin e takimeve me babanë.Përballë kësaj situate, Dritan Mandro është paraqitur edhe në Komisariatin e Policisë Fier, ku ka bërë kallëzim penal për moszbatim të vendimit të gjykatës. Policia ka deklaruar se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për trajtimin e rastit.



