“Ai bën qejf me paret tona” I merr tokën për pallat, banorët katandisen duke bërë punimet vetë!

Në zemër të Tiranës, disa familje që prej vitit 2014 mbeten pa apartamentet e premtuara, pasi ndërtuesi, me të cilin kishin lidhur marrëveshje, është zhdukur pa lënë gjurmë.Gjyli Tufa tregon, se në vitin 2014 ajo dhe familjarët e saj i dhanë truallin dhe banesën shoqërisë “Konuda Alfa” shpk, me administrator Nani Kolovani, për ndërtimin e një pallati. Marrëveshja parashikonte, që pronarët e truallit të përfitonin apartamente në objektin e ri dhe pagesë qiraje gjatë kohës së ndërtimit.Por 12 vite më vonë, familjet nuk kanë marrë asnjë apartament. Ndërtimi është lënë përgjysmë, qiraja nuk është paguar prej tre vitesh dhe ndërtuesi nuk përgjigjet më. Nga verifikimi në terren, pallati rezulton i papërfunduar, ndërsa disa nga familjet janë detyruar të kryejnë vetë punimet minimale për të jetuar. Sipas tyre, të gjitha hyrjet janë shitur, ndërkohë që pronarët e truallit kanë mbetur jashtë, pa prona dhe pa kompensim.Në përpjekje për të gjetur administratorin Nani Kolovani, rezulton, se në NIPT-in e kompanisë adresa e zyrës figuron te vetë pallati, por aty nuk ekziston asnjë zyrë. Numri i telefonit i deklaruar i përket një zyre kontabiliteti, që ka bashkëpunuar më parë me firmën. Ndërtuesi është zhdukur, duke lënë pas familje të pastreha dhe një pallat fantazmë në qendër të kryeqytetit.

Të Fundit