Agron Gjekmarkaj: Asnjë demokrat nuk e kërkon dorëheqjen e Berishës, atë e duan vetëm socialistët

Agron Gjekmarkaj, në një intervistë për gazetën Panorama, thotë se asnjë demokrat nuk e kërkon dorëheqjen e Sali Berishës nga PD, edhe pse humbi zgjedhjet e 11 majit.

Sipas tij, këtë gjë e kërkojnë vetëm socialistët dhe mediat pranë Qeverisë.

“Jo! Ikjen e tij e kërkojnë socialistët dhe pushteti, mediat pranë tyre, jo demokratët. Ai rishpiku vetveten dhe bëri një fushatë të jashtëzakonshme, me program, ide, ritëm dhe kurajë. Projekti i Shqipërisë madhështore u shty, por përpjekja e tij mbetet madhështore dhe model për historinë. Sali Berisha është dhe do të mbetet një udhëheqës i domosdoshëm për opozitën dhe për vendin”, thotë ai.

“Bashkëpunimi me Sali Berishën ka qenë i ngushtë dhe me shumë besim të ndërsjellë. Ai është një lider që njeh mirë sfidat dhe që i ka përballuar me kurajë dhe strategji. Nuk kam pasur kurrë një ndërhyrje për të bërë diçka që del jashtë natyrës sime të komunikimit.

Kam punuar për të realizuar vizionin e tij për PD-në dhe opozitën, që nga dita e bashkimit duke u përpjekur të jem një zë i fuqishëm brenda institucioneve dhe jashtë tyre. Jam krenar që jam pjesë e këtij projekti politik dhe kam marrë përgjegjësinë e drejtuesit politik fitues në Lezhë”, vijoi ai.

I pyetur pse Edi Rama fiton gjithmonë, Gjekmarkaj tha:

“Sepse ka kapur pothuajse të gjitha shtyllat e shtetit dhe i përdor ato për të mbajtur pushtetin. Ai kontrollon administratën publike, drejtësinë, mediat, ekonominë dhe ka një rrjet klientelist që siguron mbështetjen në terren. Por, mbi të gjitha, ai ka vendosmëri totale për të penguar rotacionin me çdo mjet.

Çdo kryeministër në një vend të vogël e me probleme të kulturës demokratike e varfëri ekonomike mund ta arrijë këtë për disa kohë. Kjo duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë me angazhimin tonë të përditshëm. Natyrisht gabimet tona në 12 vitet e kaluara i kanë lehtësuar këtë sipërmarrje”.

Të Fundit