Adoleshenti përfundon në spital nga kriza pasi iu hoq telefoni: Varësi si alkooli dhe substancat narkotike

Një adoleshent është paraqitur në spital në Torino me simptoma të një krize abstinence. Sipas Prof. Gianluca Rosso nga spitali San Luigi i Orbassanos, i riu po reagonte ndaj ndalimit që i kishin vendosur prindërit për përdorimin e smartphone-it. “Mund të bëhet si një drogë, e trajtuam njësoj si trajtohen ata që hyjnë në abstinencë nga substancat narkotike dhe alkooli.”

Ai mbërriti në urgjencë me simptoma të ngjashme me ato të një krize abstinence nga substancat narkotike, por adoleshenti i shtruar në spitalin San Luigi i Orbassanos ishte në të vërtetë në abstinencë nga smartphone-i. Ngjarjen e ka treguar për Corriere della Sera Prof. Gianluca Rosso, mjek kirurg specialist në psikiatri. Mjeku ishte në turn në spitalin San Luigi i Orbassanos dhe pa të hynte në repartin e emergjencës një djalosh i ri, i shoqëruar nga prindërit, në një gjendje agjitimi psikometrik të rëndë.

Nëna dhe babai i adoleshentit i kishin ndaluar përdorimin e celularit, të lodhur nga përdorimi i vazhdueshëm që djali bënte me të. Ky veprim shkaktoi tek ai një reagim të ngjashëm me atë të një të varuri nga droga kur ndodhet në mungesë të substancës. “Mund të duket e habitshme, por personi krijon me smartphone-in një lidhje të ngjashme me atë që ndodh me substancat e tjera të abuzimit si alkooli, cigaret dhe droga. Të gjitha çojnë në një stimulim të vazhdueshëm të sistemit dopaminergjik, me të cilin truri mësohet. Pikërisht kjo e çon personin të ndiejë nevojën e pandërprerë për atë stimul,” kujton Profesori.

Sapo mbërriti në urgjencë, djali u trajtua me terapi të fuqishme qetësuese, si me injeksione muskulare ashtu edhe me ato intravenoze. Pasi kaloi krizën, ai u lejua të kthehej në shtëpi. Shtrimi në spital parashikohet vetëm në rastet kur varësia shoqërohet me gjendje psikiatrike, jo për varësinë në vetvete, e cila trajtohet në qendrat SerD (shërbime për varësitë).

Mjekët mund të veprojnë vetëm mbi efektet dhe jo mbi shkaqet e varësisë. Për këtë arsye, pas trajtimit, adoleshenti u dërgua në shtëpi, ku tani familja duhet të kujdeset ta mbështesë në rrugën për t’u çliruar nga përdorimi i tepruar i telefonit. Sipas mjekëve, gjendja e agjitimit që tregoi djali në spital ishte e barasvlefshme me një krizë abstinence nga përdorimi i drogës dhe alkoolit.

Të Fundit