Miqtë dhe armiqtë e krahasojnë atë me ish-presidentin amerikan Donald Trump dhe ish-presidentin brazilian Jair Bolsonaro. Të tjerë e kanë quajtur ekonomistin me stilin e veçantë të flokëve një përzierje të Boris Johnson dhe kukullën e filmit horror “Chucky”.
Bëhet fjalë për Javier Milei ,presidenti i ri i Argjentinës. Në një libër biografik presidenti i ri përshkruhet si një person i vetmuar i cili gjatë fëmijërisë u dhunua nga prindërit dhe dhe u ngacmua në shkollë gjatë viteve 1980, kohë kur edhe iu dha pseudonimi “El Loco” ose ‘i çmenduri’ .
“Më shumë se idetë e Mileit, ajo që më shqetëson është gjendja e tij shpirtërore dhe stabiliteti emocional,” thotë autori i librit, Juan Luis González.
Disa vite më parë ishte drejtues i një emisioni televiziv, audienca e të cilit u rrit ndjeshëm për shkak edhe të deklaratave të tij që bënë jo pak bujë. Në atë kohë, dhe deri vetëm disa muaj më parë, pothuajse asnjë ekspert politik nuk besonte se ai kishte një mundësi reale për t’u bërë president i ekonomisë së dytë më të madhe të Amerikës së Jugut.
Por Milei, një ekonomist 53-vjeçar, ka tronditur sistemin politik të Argjentinës dhe ka fituar mbështetje për masat e tij drastike për të frenuar inflacionin në rritje. Në qendër të planit të tij ekonomik për Argjentinën është propozimi për të zëvendësuar monedhën vendase, peson, me dollarin amerikan.
Në prag të zgjedhjeve, analistët kishin paralajmëruar se fitorja e zotit Milei do të trazonte tregjet financiare dhe do të çonte drejt rënies së vlerës së pesos, për shkak të pasigurisë rreth politikave të tij ekonomike dhe zbatimit të tyre nëse bëhej president.
Ai u shfaq me një sharrë elektrike që synonte të simbolizonte shkurtimet e forta që ai beson se do të ndihmojnë në stabilizimin e ekonomisë dhe “shfarosjen” e inflacionit të shfrenuar.
Adhurues i ish-Presidentit Trump, Milei kërkon eliminimin e Bankës Qendrore të Argjentinës, i konsideron ndryshimet klimatike si një teori të pavërtetë, thotë se edukata seksuale në shkolla është një komplot për të shkatërruar familjen, beson në legalizimin e shitjes së organeve dhe dëshiron ta bëjë më të lehtë blerjen dhe zotërimin e armëve.
Milei mori 56% të votave në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të së dielës, ndërsa rivali i tij, ministri i Ekonomisë Sergio Massa 44%. Duket se kjo është fitore më e thellë sesa parashikohej nga të gjitha anketat që nga rivendosja e demokracisë në Argjentinë në vitin 1983.
Shumë ekspertë besojnë se Milei do të detyrohet të moderohet pasi të marrë detyrën muajin e ardhshëm dhe se do të luftojë për të zbatuar propozimet e tij më të diskutueshme.