“A ka lidhje Alda Klosi me 380 mijë Eurot e tjera?”, avokati Muho: Parave nuk iu del njeri për zot

Alda Klosi do të qëndrojë në burg pa afat me vendim të Gjykatës së Tiranës, e cila këtë të martë vlerësoi të ligjshëm arrestimin e saj me urdhër-ndalimi nga Prokuroria, 3 ditë më parë.

Kontradiktat në dëshminë e vetë Alda Klosit për origjinën e 120 mijë Eurove dhe grabitjen në banesë, si dhe dëshmia e sanitares Rozeta Dobi që tha se edhe 400 mijë Eurot e tjera i kishte marrë te shtëpia e Alda Klosit, ishin provat më të forta të Prokurorisë. Por për avokatin Ilirjan Muho, dëshmia e sanitares Dobi është tërësisht e pavërtetë.

I ftuar në emsionin “Opinion” në Tv Klan, avokati i Alda Klosit, Ilirjan Muho thotë se Alda Klosi nuk ka asnjë lidhje me 380 mijë Eurot e tjera të gjetur në banesën e sanitares Rozeta Dobi teksa shton se atyre para nuk iu del kush për zot.

 

Blendi Fevziu: Po për 380 mijë Eurot e tjera, a nuk ka asnjë lidhje?

Ilirjan Muho-Avokati i Alda Klosit: Jo, nuk ka lidhje fare, fare, fare. Ta gjejë prokuroria të kujt janë. Ai person që ka deklaruar se ka një marrëveshje me Alda Klosin për të marrë këto para dhe për t’i ruajtur, i ka shpërdoruar në mënyrë të frikshme këto para sepse djali i saj ka filluar dhe blen makina. E dyta, nëse do të kishte një marrëveshje midis Aldës dhe asaj që është kapur me presh në dorë duke vjedhur banesën, atëherë pse në kontrollin e banesës së asaj grua janë gjetur dhe sende të vjedhura në banesa të tjera? Sa e besueshme mund të jetë për prokurorinë një person që bën 4 deklarime të ndryshme.

Blendi Fevziu: Deri tani sa persona janë paraqitur për vjedhje?

Ilirjan Muho- Avokati i Alda Klosit: Janë persona që kanë njohur sendet. Dikush ka njohur unazë, dikush varëse, parave nuk iu del njeri për zot sepse është çështja e tyre pse nuk iu del njeri për zot.

Blendi Fevziu: Po të shkoj unë të them se janë të miat, a duhet ta vërtetoj?

Ilirjan Muho- Avokati i Alda Klosit: Padiskutim.

Kujtojmë se Prokuroria kërkoi mbylljen në qeli të Alda Klosit për 3 akuza, fshehje e pasurisë, pastrim parash dhe dhënie të dëshmive të rreme përballë punonjësit të policisë.

Të Fundit