Kryeministri Edi Rama këtë të hënë ka publikuar pyetjen e tetë të nismës Këshillimi Kombëtar, që ka të bëjë me gjobat dhe masat kundër evazionit fiskal të shoqërive të biznesit të madh.
“Ka njerëz që thonë se qeveria duhet të ashpërsojë gjobat dhe masat kundër evazionit fiskal të shoqërive të biznesit të madh. Të tjerë thonë se rregullat në fuqi janë të mjaftueshme nëse zbatohen si duhet. Si mendoni ju?
Sa më shumë të shmanget biznesi i madh nga detyrimet për të paguar taksa, aq më shumë pengohet rritja e investimeve të shtetit në infrastrukturë e shërbime publike, si edhe rritja e pagave e pensioneve. Duke ashpërsuar masat ndaj biznesit të madh, që kryen evazion fiskal, sigurohemi se ata që fitojnë më shumë e kanë më të vështirë t’u shmangen detyrimeve ndaj shtetit e shoqërisë”, thuhet në pyetësor.
Ndërkohë qytetarët kanë mundësinë për të klikuar një nga këto përgjigje:
1.Biznesi i madh duhet të ndëshkohet penalisht me dënime më të ashpra për evazion fiskal.
2.Nuk duhet ashpërsim i masave ekzistuese ndaj individëve/subjekteve ndotës të hapësirave publike.
3.Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje.
Po ashtu Kryeministri, Edi Rama bëri me dije se deri tani 23.456 qytetarë janë përfshirë deri më tani në Këshillimin Kombëtar duke plotësuar pyetësorin online.
“Me falenderimin e madh për 23.456 bashkëqytetarët e bashkëqytetaret, kudo ndodhen, që janë përfshirë deri tani në Këshillimin Kombëtar, duke e plotësuar pyetësorin online, ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e këtij kuvendimi popullor për çështje me rëndësi strategjike për Shtëpinë tonë Shqipërinë.”, shkruan Rama.