Rama për Ditën e Alfabetit: Nën hijeshinë e këtyre gërmave jeton kujtesa dhe frymon e ardhmja e kombit

Kryeministri Edi Rama ka uruar mëngjesin e kësaj të diele Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook.

Përkrah një videoje të shpërndarë në faqen e tij zyrtare, kreu i qeverisë u ka uruar qytetarëve një fundjavë të qetë, duke vlerësuar rëndësinë historike dhe kombëtare të gjuhës shqipe.

“Mirëmëngjes, dhe në ditën e më të bukurave gërma, nën hijeshinë e së cilave jeton kujtesa e kombit tonë dhe frymon e ardhmja, ju uroj një të diel të qetë,” shkruan kryeministri Rama në postimin e tij.

Dita e Alfabetit shënon përvjetorin e Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 1908, ku intelektualët dhe patriotët shqiptarë të asaj kohe unifikuan alfabetin e gjuhës shqipe, duke vendosur një nga gurët më të rëndësishëm të themelit për identitetin dhe kulturën kombëtare.

Kongresi u zhvillua në Manastir, në atë kohë pjesë e Perandorisë Osmane dhe sot qyteti i Bitolës në Maqedoninë e Veriut, në shtëpinë e Fehim Zavalanit. Në të morën pjesë 50 delegatë dhe 18 vëzhgues. Kryetar i kongresit ishte Mit’hat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi.

Vendimet e Kongresit të Manastirit i dhanë fund përdorimit të alfabeteve të ndryshme dhe hodhën themelet për një alfabet të përbashkët të gjuhës shqipe, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar.

Në Shqipëri, 22 Nëntori u shpall festë zyrtare në vitin 2023. Kjo datë përkujtohet gjithashtu në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në komunitetet shqiptare në diasporë.

Të Fundit