Vijojnë ndryshimet në strukturat drejtuese të Bashkisë së Tiranës.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka firmosur shkarkimin e Rigers Sheqerit, i cili mbante detyrën e kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), si dhe të Zhaneta Beqirit, drejtoreshë e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve.
Ndërkohë, në proces largimi nga detyra raportohet se është edhe Elona Lalaj, drejtoreshë e Policisë Bashkiake.
Sa i përket Zhaneta Beqirit, vendimi për largimin e saj është firmosur nga Veliaj dhe lidhet me pretendimet për shkelje me pasoja ekonomiko-financiare, të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH).
Emri i Elonës Lalaj është përmendur edhe gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste për Tiranën, ku kryeministri Edi Rama komentoi raportimet për largimin e saj nga detyra.
Gjatë fjalës së tij, Rama kritikoi ashpër mundësinë e shkarkimit të Lalajt, duke e lidhur këtë çështje me faktin se ajo nuk kishte pëlqyer apo shpërndarë në rrjetet sociale postimet e kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Po si mund largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit, ashtu si dhe të tjera e të tjerë, drejtues dhe punonjës në hierarkinë e bashkisë së Tiranës, pse nuk u bëjnë like e share dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij?
E përsëris, unë nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe çfarë ai bën, por vetëm uroj me gjithë zemër që ai të kuptojë se është në gabim, ditë e natë, në raport me mua dhe në raport me Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Po ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në bashkinë e Tiranës që do ta zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë, qofshin anëtarë të kësaj familjeje, qofshin ‘’shërbëtorë’’ publikë pa parti si Elona Lalaj, apo qofshin edhe qytetarë demokratë që punojnë në radhët e mijëra e mijëra njerëzve në bashkinë e Tiranës.
E dimë të gjithë që mungesa e kryebashkiakut është një problem shumëplanësh për ecurinë e punëve të qeverisë vendore, të cilin ne do ta zgjidhim vetëm në 9 maj, me fitoren e Tiranës në ditën e madhe të Europës”, deklaroi Rama gjatë Asamblesë së kësaj të shtune.
Deklarata e kryeministrit vjen në një moment përplasjesh politike lidhur me drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe vendimmarrjen për strukturat e saj. Ndërkohë, shkarkimet e dy drejtuesve dhe largimi i mundshëm i drejtoreshës së Policisë Bashkiake pritet të sjellin ndryshime të tjera në administratën vendore.



