Është mbyllur protesta e zhvilluar këtë të shtunë kundër qeverisë, e cila u shoqërua me tensione dhe marshime në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit.
Protestuesit e nisën tubimin përpara Ministrisë së Arsimit, ku pati edhe momente tensioni. Më pas, ata u drejtuan drejt Kryeministrisë, ku qëndruan për disa minuta përpara godinës së qeverisë, duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pas kësaj, protestuesit vijuan marshimin nëpër rrugët e Tiranës, për t’u rikthyer sërish përpara Kryeministrisë. Pas një qëndrimi të shkurtër, ata u drejtuan drejt Sheshit Skënderbej, ku edhe u mbyll zyrtarisht tubimi.
Në përfundim të protestës, pjesëmarrësit paralajmëruan një tjetër tubim, që sipas tyre do të jetë shumë më i madh. Protesta e radhës është njoftuar për më 28 Nëntor, ndërsa pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të diasporës.



