Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dërgon për gjykim dosjen penale në ngarkim të Belinda Ballukut.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i SPAK, Klodian Braho në një komunikim me gazetarët.
“Sot do dërgohet ne gjykate Belinda Balluku dhe për shkak të kërkesave për informacion kemi menduar këtë mënyrë komunikimi”, tha Braho në takim.
Kreu i SPAK bëri të ditur se për hetimin e kësaj çështjeje janë angazhuar dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë periudhës së hetimit.
“Lidhur me këtë çështje penale janë angazhuar dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje. Përfitoj nga rasti t’i falënderoj të dy prokurorët. Fillimisht, ata do t’ju njohin me një përmbledhje të çështjes”, u shpreh Braho, përpara se t’ia kalonte fjalën prokurorit të çështjes.
Më pas, prokurori Dritan Prençi njoftoi se SPAK po dorëzon kërkesën për gjykim në ngarkim të ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, si dhe 25 personave të tjerë dhe dy shoqërive.
“Sot SPAK po dërgon kërkesën për gjykim në ngarkim të ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe 25 personave të tjerë dhe dy shoqërive”, bëri me dije Prençi.
Sipas të dhënave të bëra publike në takimin me gazetarët, akuzat ndaj Ballukut përfshijnë korrupsionin në nëntë raste, fshehjen e pasurisë në dy raste dhe pastrimin e parave. Ndërkohë, vlera e pasurive të sekuestruara në kuadër të hetimit arrin në 1.8 milionë euro.
Me dorëzimin e kërkesës për gjykim, çështja tashmë kalon në shqyrtimin e gjykatës, e cila do të vendosë për vijimin e procedurave gjyqësore.



