Shefki Qosja nga Librazhdi i drejtohet emisionit “Stop”, për një konflikt pronësie me vëllanë e tij, Besnikun. Katër vëllezërit kishin bërë një ndarje me mirëkuptim të pronës për ndërtimin e banesave, por mosmarrëveshjet për një pjesë të rrugës, kanë sjellë konflikt mes dy vëllezërve. Shefkiu pretendon, se Besniku ka vendosur hekura dhe i ka bllokuar hyrjen në banesë, ndërsa ky i fundit këmbëngul, se dokumentet e pronësisë janë të rregullta dhe se ajo pjesë i shërben hyrje-daljes së shtëpisë së tij.Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, Bashkia Librazhd premtoi verifikimin e rastit. Në vijim, pengesa me hekura u hoq, ndërsa institucionet përkatëse po shqyrtojnë zgjidhjen përfundimtare të aksesit në banesë, në përputhje me kuadrin ligjor.
Në epokën e telefonave inteligjentë dhe orëve elektronike, duket, se leximi i orës me akrepa, po kthehet në një sfidë për shumë qytetarë. Të mësuar me ekranet dixhitale dhe numrat, që tregojnë drejtpërdrejt orën, jo të gjithë arrijnë të kuptojnë pozicionin e akrepave. Ne kemi bërë një provë te vogël në rrugë, për të zbuluar, nëse qytetarët e kanë harruar një aftësi, që dikur ishte mëse e zakonshme.
Familja Kaloti në fshatin Lisnajë të Peqinit është përballur me një faturë energjie elektrike prej 400 mijë lekësh të vjetra për muajin maj 2026. Altin Kaloti tregon, se në banesë jetojnë vetëm prindërit e tij dhe nuk kanë pajisje elektrike, që të justifikojnë një konsum kaq të lartë. I gjendur përballë rrezikut të ndërprerjes së energjisë, ai e pagoi faturën pa marrë një shpjegim bindës.Pas ndërhyrjes së emisionit Stop, OSHEE kreu verifikimet dhe konstatoi, se kilovatët e faturuar ishin realë, por konsumi ishte akumuluar, pasi lexuesi nuk kishte kryer leximet e sahatit prej vitesh. Për këtë shkelje, punonjësi është ndëshkuar me vërejtje me shkrim dhe pezullim nga detyra.



