Në Vlorë, Dallëndyshe Mataj prej vitesh ndodhet në një konflikt pronësie me fëmijët e dajës, lidhur me një objekt, që pretendohet, se është ndërtuar pa leje mbi pasurinë e saj. Në vitin 2015, Dallëndyshja pajiset me certifikatë pronësie për 16 m² ndërtim dhe 41 m² truall. Por, sipas denoncimit të saj, vajza e dajës, Tefta Jace, ndërton më pas një objekt trekatësh pa leje dhe kërkon ta largojë nga prona.Pas një sërë përplasjesh dhe peripecish, në vitin 2020 objekti përjashtohet nga procesi i legalizimit dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Vlorë nxjerr vendimin për prishjen e tij. Por, ndonëse kanë kaluar 6 vite, vendimi mbetet ende i pazbatuar dhe objekti vazhdon të qëndrojë në këmbë. Për të mësuar, se përse një vendim prishjeje nuk është ekzekutuar për kaq shumë vite, i drejtohemi IMT-së Vlorë. Punonjësja shpjegon, se vendimi i vitit 2020 është rivënë në afate gjatë vitit 2025 dhe institucionit i është kërkuar ndihma e IKMT-së për ndërhyrjen. Sipas saj, IMT-ja nuk disponon mjetet e nevojshme për të realizuar prishjen, ndërsa IKMT-ja është shprehur, se nuk mund të ndërhyjë për shkak të terrenit. Në komunikimin me IKMT-në Vlorë, drejtori konfirmon, se institucioni nuk ka trupë operacionale dhe mjete për të kryer prishjen. Ne kontaktuam edhe nënkryetaren e Bashkisë Vlorë, Klea Lalo, por kjo e fundit nuk dha një përgjigje për rastin.
Banjot publike në Lushnjë duket, se janë jashtë çdo standardi higjiene. Në vend që të jenë në shërbim të qytetarëve, ato ofrojnë pamje të mjerueshme, me papastërti dhe kushte, që vënë në pikëpyetje jo vetëm mirëmbajtjen, por edhe përgjegjësinë e institucioneve për këto ambiente publike. Bregu i liqenit në Shkodër po përdoret si një vendgrumbullim për gjithçka, që nuk duhet të përfundojë aty. Tulla, dërrasa, motorë të vjetër, divane dhe mbetje të tjera kanë pushtuar hapësirën pranë liqenit, duke krijuar një pamje të shëmtuar në një prej zonave, që duhet të jetë ndër më të frekuentuarat e qytetit.
Disa muaj më parë transmetuam një rast mashtrimi nga ana e shtetases Odeta Hoxha. Kjo e fundit kishte përfituar mbi 35 mijë euro nga familjarët e së ndjerës Qerime Bogdani, e cila vuante nga një tumor në zorrën e trashë. Denoncuesit, Gentian Bogdani dhe Erjola Bogdani, treguan, se Hoxha u kishte premtuar lidhje me Ministrinë e Shëndetësisë për kurimin jashtë vendit, duke përdorur emrat e ish-ministres Albana Kociu dhe ish- ministres Evis Sala.Në komunikimet me familjarët, që nisën që në vitin 2023, Odeta Hoxha kishte falsifikuar dhjetra dokumenta duke garantuar përfitimin e një fondi mbi 100 milionë lekë. Familjarët kishin besuar, se po komunikonin direkt me titullaret e ministrisë.Në bisedat, që “Stop” transmetoi, Hoxha komunikonte në emër të ministreve, duke vazhduar të mashtronte familjarët e të ndjerës. Pas hetime mbi rastin e transmetuar në shkurt 2026, Prokuroria na informon, se cështja ndaj shtetases Odeta Hoxha është dërguar për gjykim, nën akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda.Kjo cështje gjykohet nga gjyqtarja Migena Laska. Odeta Hoxha rrezikon të dënohet nga 5 deri në 10 vjet burgim.



