Dy vëllezër nga Gjirokastra, Afrim dhe Feim Beqiri, kërkojnë ndihmë për një problem, që i shqetëson prej vitesh: rrugën e ngushtë, që lidh banesat e tyre me pjesën tjetër të zonës. Ata pretendojnë, se shkak i kësaj situate, është fqinji i tyre, Vasil Çekani, i cili, punon në Policinë Bashkiake dhe nuk lejon zgjerimin e rrugës.Vështirësitë janë bërë të përditshme për familjen, pasi hapësira e kufizuar, ua vështirëson edhe veprimet më të zakonshme. Sipas tyre, problemi nuk lidhet vetëm me transportimin e sendeve, por edhe me aksesin e vështirë në banesa, pasi hyrjet e tyre, ndodhen nga pjesa e sipërme e terrenit.Nga ana tjetër, fqinji Vasil Çekani mohon të jetë ai pengesa për zgjerimin e rrugës. Ai deklaron, se çështja varet nga institucionet. Çekani pranon, se ka bërë kallëzim, duke kërkuar, që të verifikohet situata në terren dhe kundërshton pretendimet e vëllezërve Beqiri, të cilët, sipas tij, fajësojnë atë në çdo institucion.Pas interesimit tonë, nënkryetarja e Bashkisë Gjirokastër, Amarilda Lelaj, bëri të ditur, se i është drejtuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të sqaruar statusin juridik të terrenit, ku kërkohet ndërhyrja. Ajo u shpreh se, pavarësisht rezultatit të verifikimeve, Bashkia do të ndërhyjë për të gjetur një zgjidhje për zgjerimin e rrugës.



