Ngjarja e rëndë në fshatin Godvi të Bulqizës, ku 62-vjeçari Urim Fiku u vra dhe fillimisht u raportua si sulm nga një ari, ka tronditur banorët e zonës.
Për ngjarjen janë ndaluar djali i viktimës, Gazmir Fiku, dhe bashkëshortja e tij, Sadete Fiku, të dyshuar si autorë të krimit. Sipas hetimeve të policisë, 62-vjeçari nuk kishte humbur jetën nga sulmi i një kafshe të egër, por ishte vrarë me armë zjarri.
Megjithatë, banorët e zonës shprehen të habitur nga ajo që ka ndodhur. Njëri prej tyre, i cili tregon se e ka pasur Gazmir Fikun nxënës, thotë se e ka të vështirë të besojë përfshirjen e tij dhe të bashkëshortes në këtë ngjarje.
Banori: Për Gazmir Fikun, për të cilin thonë se ka vrarë të atin, unë kurrë nuk jam në një mendje. E kam pasur edhe nxënës dhe ka qenë një ndër nxënësit më shembullorë të shkollës. Familja shumë e mirë. Djali ka qenë nxënës i shkëlqyer. Unë nuk e konceptoj dot që e shoqja, Sadetja, bashkë me djalin të kenë bërë këtë krim. Çfarë nuk ndodh në këtë dynja, por me intuitën time nuk besoj.



