Në redaksinë e emisionit “Stop” mbërrijnë video dhe ankesa nga pensionistët, të cilët denoncojnë mungesën e aboneve falas të transportit publik në pikat e shpërndarjes në Tiranë, që në datën 2 të muajit, kur nis edhe tërheqja e tyre. Emisioni kryen një vëzhgim në terren dhe konstaton, se ankesat janë të vërteta: pensionistët nuk arrijnë të pajisen me abonetë, pasi ato kanë përfunduar në pikat e shpërndarjes.Pas ndërhyrjes së “Stop”, reagon Bashkia e Tiranës, e cila sqaron, se çdo muaj vë në dispozicion 42 mijë abone falas për pensionistët dhe se këtë herë, për herë të parë, është tërhequr e gjithë sasia e parashikuar. Bashkia pranon kërkesën e shtuar dhe premton, se nga muaji i ardhshëm do të rrisë numrin e aboneve, duke marrë masa, që pikat e shpërndarjes të kenë sasi të mjaftueshme për të gjithë pensionistët përfitues.



